Kongresmeni amerikan Mike Lawler ka reaguar ndaj protestave kundër qeverisë në Shqipëri, duke kërkuar nga autoritetet shqiptare që të ulin tensionet dhe t’i japin fund menjëherë çdo përdorimi force ndaj protestuesve paqësorë.
Në një mesazh të publikuar në platformën X, Lawler tregon se ka marrë shqetësime nga shqiptaro-amerikanët në distriktin e tij të 17-të të Nju Jorkut, të cilët janë të tronditur nga situata në Shqipëri dhe pasojat që këto zhvillime mund të kenë për të ardhmen demokratike të vendit.
Sipas kongresmenit, ai mbështet plotësisht komunitetin shqiptaro-amerikan dhe gjithë qytetarët shqiptarë, duke theksuar se respektimi i të drejtës për protestë paqësore dhe shprehje të lirë është thelbësor për çdo qeveri demokratike, veçanërisht për shtetet që janë pjesë e NATO-s.
“Kam dëgjuar nga zgjedhësit e mi shqiptaro-amerikanë në distriktin NY-17, të cilët janë thellësisht të shqetësuar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe për atë që këto zhvillime nënkuptojnë për të ardhmen e demokracisë në vend. Unë qëndroj në krah të zgjedhësve të mi dhe të popullit shqiptar”, shkruan Lawler.
Kongresmeni ka një kërkesë të drejtpërdrejtë për qeverinë shqiptare që të ndalojë përdorimin e forcës ndaj atyre qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore.
“Çdo qeveri, veçanërisht demokracitë dhe aleatët e NATO-s, duhet të respektojë të drejtën e qytetarëve të saj për të protestuar paqësisht dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre. I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë menjëherë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës ndaj protestuesve paqësorë”, përfundon kongresmeni amerikan Mike Lawler.

