Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Lezhë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi institucional, me synim forcimin e lidhjeve mes arsimit të lartë dhe atij parauniversitar.
Marrëveshja u nënshkrua nga rektorja e universitetit, Prof. Dr. Blerta Dragusha, dhe përfaqësuesi i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Lezhë, Hasan Muça.
Bashkëpunimi parashikon organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore e kulturore, zhvillimin e trajnimeve, seminareve dhe leksioneve të hapura, si dhe krijimin e mundësive për praktikat mësimore të studentëve të Universitetit të Shkodrës në institucionet shkollore.
Këto praktika do të realizohen në bashkëpunim me zyrat vendore të arsimit, me synimin për t’u ofruar studentëve më shumë përvojë praktike dhe për të lidhur formimin teorik me kërkesat e profesionit.
Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet synojnë të rrisin cilësinë e formimit profesional, të nxisin kërkimin shkencor dhe shkëmbimin e përvojave, si dhe të forcojnë kapacitetet njerëzore në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit.

