Miq të dashur dhe adhurues të sportit,
Kampionati botëror i IBO-së, në të cilin ishte planifikuar të konkurronte Uldedaj më 23 tetor në Tiranë për të mbrojtur titullin kundër ish-kampionit të botës Blake Caparello, do të zhvillohet në një datë të re.
Gjatë stërvitjes për këtë përballje, Uldedaj pësoi një dëmtim gjatë fazës së sparringut, nga i cili parashikohet të rikuperohet shpejt. Në konsultim me organizatorët dhe federatën IBO, si dhe duke marrë në konsideratë situatën e veçantë në Tiranë, u vendos që eventi të shtyhet.
Për Uldedajn, mbrojtja e titullit botëror përpara publikut shqiptar në Shqipëri mbetet një ëndërr e madhe, të cilën ai e ka pritur gjatë. Ai thekson se dëshiron që kjo sfidë historike të realizohet në kushtet optimale, ashtu siç meriton çdo shqiptar.
Sipas tij, ndeshja nuk është anuluar por vetëm është shtyrë. Së shpejti do të komunikohet data e re, ndërsa eventi do të organizohet gjatë këtij viti, po në Tiranë. Të gjithë ata që kanë siguruar bileta do të informohen për të gjitha detajet përkatëse.
Uldedaj shpreh mirënjohjen e tij për tifozët, sponsorët, partnerët, institucionet dhe organizatorët për mbështetjen dhe mirëkuptimin e dhënë, ndërsa i vjen keq për sportdashësit që kishin planifikuar të ishin të pranishëm më 23 tetor.
Ai përfundon se rikthimi në ring përpara publikut shqiptar do të duhet të shtyhet për një kohë të shkurtër. “Por një gjë është e sigurt: dua ta mbroj titullin botëror në shtëpinë time, përpara shqiptarëve!”

