Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë së IEVP Shkodër, ka kryer së fundmi një kontroll të befasishëm për sende të paligjshme në ambientet e IEVP Shkodër, bazuar në të dhëna të siguruara nëpërmjet rrugëve operative. Gjatë verifikimeve, u sekuestrua një aparat celular i ndezur dhe një karikues, që i përkisnin personit të paraburgosur me inicialet A. F..
Lidhur me këtë rast, materialet procedurale do të përcillen për hetime të mëtejshme pranë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në ngarkim të shtetasit të paraburgosur A. F., për akuzën “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, të përcaktuar në nenin 324/a të Kodit Penal.
AMSEVP u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të raportojnë çdo rast të abuzimit ose shkeljes së detyrës nga punonjësit e strukturave përkatëse, duke kontaktuar në numrin pa pagesë 044 20 40 20 ose në adresën e emailit info@amsevp.gov.al.

