Agron Shehaj: Rama e ka nënvlerësuar rininë, kryeministri orkestron dhunën, por nuk mund ta ndalë ndryshimin

Publikuar me datë:

Agron Shehaj, kryetari i partisë “Mundësia”, iu bashkua sot protestuesve të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke dënuar fort ndërhyrjen e policisë ndaj qytetarëve që protestonin në mënyrë paqësore. Shehaj akuzoi kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për urdhërimin e përdorimit të forcës ndaj demonstruesve.

Gjatë një interviste të zhvilluar në terren, Shehaj tha se reagimi i ashpër i policisë tregon se qeveria është në panik përballë një vale rinore që nuk po arrin më ta kontrollojë përmes mjeteve politike.

Kreu i partisë “Mundësia” u shpreh se protestuesit nuk kishin nxitur asnjë akt dhune përpara se forcat policore të ndërhynin për t’i shpërndarë:

“Sot Edi Rama dha urdhër që të shpërndajë një protestë paqësore. Ne ishim këtu, nuk gjuajti askush me gurë, nuk pati asnjë akt dhune, por në një moment të caktuar kur e pa që po mblidheshin shumë, filloi t’i shtynte dhe t’i largonte me dhunë. Përse? Sepse do të ndalë protestën, sepse do të ndalë ndryshimin, sepse do të ndalë të rinjtë.”

Shehaj theksoi më tej se urdhrat për veprimet e policisë vijnë drejtpërdrejt nga Edi Rama, që sipas tij vepron për të mbrojtur pozitat e tij në pushtet:

“Është Edi Rama që drejton policinë, është Edi Rama që drejton personalisht dhunën kundër protestuesve, mendon se me dhunë do t’ia dalë. I ka bërë llogaritë gabim, sepse kjo rini ka një kurajo të jashtëzakonshme, ka një dëshirë dhe një këmbëngulje që askush nuk e ka parë në këto 30 vitet e fundit.”

Duke iu referuar vendimit të pedagogëve për të ndërprerë mësimin në mbështetje të studentëve që kanë nisur bojkotin, Shehaj theksoi se është e rëndësishme që akademikët të mos kufizohen vetëm me qëndrime deklarative, por të qëndrojnë pranë të rinjve në terren:

“Nuk duhet thjesht të solidarizohen me studentët, duhet të jenë aty bashkë me studentët. Shumë mirë bënë që i u bashkuan sot. Duhet t’i bashkohen jo vetëm në mëngjes, por gjatë gjithë ditës, çdo ditë derisa Edi Rama të largohet.”

Sipas tij, forca e vërtetë e këtij protestimi buron nga përfshirja qytetare dhe natyra e tij jopartiake:

“Kjo protestë nuk është një protestë partiake. Nuk është me militantë të cilët janë këtu dhe kërkojnë një vend pune. Janë këtu sepse duan të ndryshojnë Shqipërinë, sepse duan të rrëzojnë një klasë politike të korruptuar që ua ka bërë jetën të pamundur prindërve të tyre. Edi Rama do të detyrohet të largohet dhe duhet të japë dorëheqjen sa më shpejt, pa kushte.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related