Festimet kushtuar Zojës së Shkodrës, “Nënës së Këshillit të Mirë” dhe Pajtores së shqiptarëve, u përmbyllën me një shfaqje poetiko-muzikore në sallën “Kardinal Mikel Koliqi”. E titulluar “Kunorë me vargje për Zojën e Shkodrës”, shfaqja ndërthuri poezinë dhe muzikën, duke përcjellë mesazhe dashurie, besimi dhe përkushtimi.
Në qendër të programit ishte krijimtaria e Atë Gjergj Fishtës, krahas vargjeve të autorëve të njohur shqiptarë dhe arbëreshë, si Pjetër Bogdani, Atë Vinçenc Prennushi, Dom Ndre Zadeja, Nikollë Brankati, Zef Skiroi dhe Atë Leonardo De Martino.
Famullitari i Shkodrës, Dom Mikel Pllumaj, përcolli mesazhin se Zoja e Shkodrës nuk e ka braktisur kurrë vendin tonë, duke theksuar lidhjen e veçantë shpirtërore të shqiptarëve me Pajtoren e tyre.
Më herët, gjatë meshës së shenjtë në Katedralen “Shën Shtjefni”, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, u bëri thirrje besimtarëve që t’i luten mirësisë së Zojës dhe ta pasqyrojnë besimin përmes veprave të tyre.
Festa e Zojës së Shkodrës u shoqërua përgjatë ditëve të kremtimit me liturgji, lutje dhe aktivitete artistike, duke bashkuar besimtarët rreth një prej simboleve më të rëndësishme të traditës fetare dhe shpirtërore shqiptare.

