Deklarata e 735 pedagogëve dhe akademikëve: 5 kërkesa, mes tyre dorëheqja e Ramës dhe ndalimi i dhunës ndaj studentëve

Publikuar me datë:

Trupa akademike është radhuar në mënyrë zyrtare dhe në masë të plotë me valën e revoltës popullore që ka përfshirë vendin. Plot 735 pedagogë dhe figura të njohura të arsimit dhe sferës publike kanë hedhur firmat në një deklaratë urgjente prej pesë pikash, e cila është ndërmarrë nga Forumi për Dialog Politik. Përmes kësaj deklarate, ata i bëjnë thirrje Kryeministrit Edi Rama të japë menjëherë dorëheqjen, të ngrihet një qeveri kujdestare, si dhe të ndalet pa vonesë dhuna policore kundër të rinjve.

Midis 735 nënshkruesve evidentohen emra të njohur si akademikët Stefan Çapaliku dhe Ardian Ndreca, Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Andri Koxhaj, Petraq Milo, Gjok Vuksani, Fatos Qerimaj, Gentian Stroni, Enkeleda Olldashi, Kozeta Bakiu, Suzana Guxholli, Areti Stringa, Voltana Ademi, Enida Bozhegu, Lutfi Dervishi si edhe anëtari i Senatit Akademik, Arbër Rendi.

Në reagimin e tyre, nënshkruesit e deklaratës theksojnë se janë thellësisht të shqetësuar nga dhuna e pajustifikuar dhe nga shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut gjatë protestave të fundit. Ata janë shprehur se nuk mund të qëndrojnë më indiferentë, ndërsa studentët e tyre përballen me shtypje të hapur.

5 Pikat Kryesore të Deklaratës së Akademikëve:

Akademikët i kërkojnë kryeministrit të largohet, për t’i hapur rrugë qetësimit të situatës në vend. Ata propozojnë ngritjen e një qeverie kujdestare që do të garantonte stabilitet institucional dhe do të respektonte vullnetin e qytetarëve.

Policisë së Shtetit dhe forcave të rendit u kërkohet ndalimi i menjëhershëm i dhunës ndaj studentëve, si dhe refuzimi kategorik i zbatimit të urdhrave të paligjshëm.

Diplomatëve të huaj në Tiranë u drejtohet një thirrje që të ndërhyjnë publikisht për të penguar shkeljet e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

Protestuesve u kërkohet që të mbrojnë pronat private dhe publike si dhe bizneset, duke mos i dhënë regjimit asnjë shkas për të përdorur dhunë apo për të delegjitimuar protestat.

Qytetarëve të kryeqytetit u bëhet apel që të mbështesin të rinjtë dhe të vendosen si mburojë ndaj dhunës së pushtetit, ashtu siç vepruan gjatë kohës së historike të rrëzimit të diktaturës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related