Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, ka reaguar për protestat e zhvilluara në Shkodër, duke bërë thirrje për protesta paqësore dhe angazhim qytetar nga të rinjtë.
“Protestat paqësore janë qytetari, Shkodra sot po e dëshmon këtë”, shkruan Bilali, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk duhet të ngatërrohet me aktet e dhunës.
Sipas saj, të rinjtë shkodranë kanë arsye të shprehin pakënaqësitë dhe të kërkojnë zgjidhje për problemet që i shqetësojnë. Megjithatë, ajo kundërshton çdo përpjekje për t’i përdorur apo nxitur ata drejt radikalizimit.
“A kanë të rinjtë shkodranë arsye për të protestuar? Patjetër që po, ama askush, as majtas as djathtas, as në auditore, as në rrjete sociale s’mund t’i mësojë, instrumentalizojë apo radikalizojë”, shprehet zëvendësministrja.
Bilali nënvizon se kërkesat e të rinjve duhet të shoqërohen me argumente dhe të synojnë ndryshime konkrete, jo vetëm për të tashmen, por edhe për brezat e ardhshëm. Ajo vlerëson dialogun dhe organizimin qytetar si mënyra për të çuar përpara shqetësimet e tyre.
Në reagimin e saj, zëvendësministrja ndalet edhe te rastet kur protestat shoqërohen me fyerje, hedhje gurësh apo dëmtime të pronës publike dhe private. Sipas saj, veprime të tilla nuk sjellin zgjidhje, por lënë pas pasoja.

