Disa zona në qarqet Shkodër dhe Lezhë do të mbeten pa energji elektrike më 19 dhe 20 tetor, për shkak të remontit të planifikuar në rrjetin elektrik. Ndërprerjet do të kryhen në dy intervale: një stakim i shkurtër në orët e para të mëngjesit dhe një ndërprerje pesëorëshe gjatë ditës së hënë.
Sipas njoftimit, të dyja ditët, nga ora 05:00 deri në 05:05, do të ndërpritet përkohësisht linja 110 kV Bushat 2–Lezhë, për të mundësuar kryerjen e manovrave në nënstacionin e Lezhës. Stakimi do të prekë nënstacionet Lezhë dhe Bushat 1, si dhe zonat që furnizohen prej tyre.
Në qarkun e Shkodrës, pa energji për pesë minuta do të mbeten Bushati, Ashta, Kosmaçi, Plezhja, Melgusha, Barbullushi, Ranxa dhe Mali i Jushit.
Ndërsa në qarkun e Lezhës, ndërprerja do të përfshijë qytetin e Lezhës, lagjen Gurra, spitalin, policinë, Zejmenin, Treshin, Manatinë, Markatomajn, Pllanën, Shëngjinin, Ranën e Hedhun, Kënallën, Ishull-Lezhën, Balldrenin, Torovicën, Dajçin, Gjadërin, Kallmetin, Blinishtin, Fishtën, Troshanin dhe zonat përreth.
Ndërprerje pesëorëshe të hënën
Përveç stakimit në orët e para të mëngjesit, të hënën, më 19 tetor, do të ketë ndërprerje të energjisë edhe nga ora 09:00 deri në 14:00.
Në Shkodër, për shkak të punimeve në linjën 110 kV Bushat 2–Lezhë, ndërprerja do të prekë Bushatin, Ashtën, Kosmaçin, Melgushën, Barbullushin, Ranxën dhe Malin e Jushit.
Në të njëjtin interval kohor, ndërhyrjet në linjën 10 kV të fiderit F12, në Nënstacionin Lezhë, do të lënë pa energji edhe Gjadërin, Balldrenin, Torovicën, Grashin, Mabën, Dajçin, Dragushën dhe Gocajn.
Punimet janë pjesë e ndërhyrjeve të planifikuara në rrjetin elektrik. Banorët dhe bizneset në zonat e listuara duhet të marrin parasysh oraret e njoftuara të ndërprerjeve.

