Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dy efektivë, pasi në rrjetet sociale u publikuan video ku ata shfaqen duke ndërhyrë ndaj protestuesve në Tiranë, në një mënyrë që dyshohet se tejkalon detyrën dhe parimin e proporcionalitetit.
Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, nga detyra janë pezulluar inspektorët E. P. dhe T. Ç., të cilët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor për të dy punonjësit, për të shqyrtuar veprimet e tyre gjatë ndërhyrjes në tubim.
Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë raste dhune apo tejkalim të kompetencave nga efektivët e saj. Sipas institucionit, përgjegjësia për veprime të tilla është individuale, ndërsa sjellje të tilla dëmtojnë imazhin e policisë dhe besimin e qytetarëve.

