Frutat dhe perimet e stinës kanë mbushur tregun e Shkodrës, por shitjet vijojnë të jenë të ulëta, pavarësisht uljes së çmimeve nga tregtarët.
Sipas shitësve, mungesa e konsumatorëve i ka detyruar të shesin më lirë produktet, pasi ekziston rreziku që një pjesë e tyre të mbetet pa u shitur. Aktualisht, çmimi i shegëve varion nga 50 deri në 100 lekë të reja për kilogram.
Nga ana tjetër, konsumatorët kanë preferenca të ndryshme për produktet që blejnë. Disa zgjedhin fruta dhe perime të importuara, ndërsa të tjerë orientohen drejt prodhimeve vendase, duke vlerësuar freskinë dhe origjinën e tyre.
Me shtimin e produkteve të vjeshtës, tregtarët shpresojnë se çmimet më të favorshme do të tërheqin më shumë blerës. Megjithatë, kërkesa e ulët mbetet një shqetësim për shitësit, të cilët presin që ditët në vijim të sjellin më shumë konsumatorë në treg.

