Një banesë në lagjen “5 Maji” të Elbasanit u grabit të hënën në orët e para të mëngjesit.
Rreth orës 04:05, persona ende të paidentifikuar hynë në shtëpinë e një qytetari dhe, duke përdorur kërcënimin me armë zjarri, u morën katër telefona celularë dhe një shumë parash.
“News24” ka publikuar pamjet që tregojnë momentin kur grabitësit përpiqen të dalin me shpejtësi nga banesa, pasi familjarët i kanë dalluar dhe i kanë ndjekur.
Sapo kanë vënë re mbërritjen e policisë, autorët janë larguar drejt një zone kodrinore, duke shfrytëzuar mbulimin e errësirës.
Gjatë arratisjes, grabitësit lanë pas automjetet që dyshohet se kanë përdorur gjatë ngjarjes.
Policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë dy makina, si edhe veshje të ngjashme me ato të uniformave të Policisë.
Përveç këtyre, janë marrë në ruajtje edhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë grupin hetimor në zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve vazhdojnë, ndërsa hetuesit po punojnë për të sqaruar të gjitha aspektet e grabitjes.

