Ish-sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare, Edmond Dosti, ka reaguar pas lirimit nga detyra të trajnerit Florin Bratu, pas humbjes 1-3 në derbin përballë Tiranës. Gjatë pjesëmarrjes së tij në emisionin “Kubi Sportiv”, Dosti theksoi se largimi i teknikut rumun ishte i parashikueshëm, por nënvizoi se përgjegjësia për situatën e krijuar te Partizani duhet të ndahet edhe më gjerë se vetëm te trajneri.
Dosti kujtoi se ka kundërshtuar që në fillim emërimin e Bratus si trajner, duke theksuar mungesën e përvojës së tij me skuadrën dhe kampionatin shqiptar.
“Unë e kam thënë që kur është lajmëruar si trajner i Partizanit se me këtë nuk ka për të bërë hajër, për shumë arsye. Erdhi nga Rumania, ku ekipi ku kishte qenë kishte rënë nga kategoria. Do të vinte në një kampionat që nuk e njihte dhe në një ekip që nuk e njihte”, u shpreh Dosti.
Sipas Dostit, nisja e Partizanit në kampionat është për t’u shqetësuar, pasi pas gjashtë javësh ka grumbulluar vetëm katër pikë dhe mban vendin e parafundit. Ai theksoi rëndësinë e një trajneri që njeh realitetin e futbollit shqiptar dhe që arrin të krijojë harmoni në skuadër në këto momente të vështira.
Dosti shtoi se deri në përfundimin e fazës së parë, ekipi duhet të përqendrohet te mbledhja e pikëve, ndërkohë që në merkaton e dimrit janë të domosdoshme përforcime në disa pozicione.
“Duhet një trajner që t’i mbledhë lojtarët, një trajner që e njeh futbollin shqiptar. Me këta lojtarë duhet të japë maksimumin deri në fazën e parë dhe të marrë pikët që i duhen Partizanit”, u shpreh ai.
Teksa foli për kandidatët që përfliten për drejtimin e skuadrës – përfshirë drejtorin e akademisë, Genc Tomorri, dhe trajnerin e Partizanit B, Alfred Deliallisi – Dosti u shpreh se një zgjidhje e përkohshme nga brenda klubit mund të ishte adekuate derisa të gjendet trajneri i duhur.
Ai vuri në dukje se Partizanit i duhet një trajner i aftë të rikthejë besimin tek grupi dhe të shndërrojë këtë periudhë të vështirë në një mundësi për sukses të mëtejshëm.
Gjatë analizës së humbjes në derbin e fundit, Dosti kritikoi zgjedhjet për formacionin si dhe vonesat në zëvendësime, duke theksuar mungesën e një skeme të qartë loje, çka po sjell vështirësi të vazhdueshme për ekipin në këtë sezon.
“Unë e kam thënë dhe e kam shkruar se Partizani është pa fizionomi, pa skemë. Nuk e dimë si luan dhe kush luan. Për këtë nuk duhet të na duket çudi që Partizani është në këtë gjendje. Të gjitha fajet nuk mund t’ia lëmë vetëm trajnerit, sepse edhe Demi duhet të kishte reaguar më shpejt”, tha Dosti.
Pas gjashtë javësh në kampionat, Partizani është në vendin e parafundit me vetëm katër pikë të grumbulluara dhe me 13 gola të pësuar, duke u renditur me mbrojtjen më të dobët mes të gjitha skuadrave.

