Kampionati Kombëtar i Boksit është mbyllur mes tensionesh dhe akuzash, pasi finalet e parashikuara nuk u zhvilluan. Pas ngjarjeve ka reaguar ashpër trajneri i Vllaznisë, Zef Gjoni, i cili e konsideron situatën një tjetër padrejtësi ndaj klubit shkodran.
“Tanë Shqipnia kundër Vllaznisë. Ndodhi me femnat. Dojnë me marrë gjithçka, por unë nuk u trembem kriminelave as të Tiranës, as Vlorës, as Elbasanit”, shprehet Gjoni, duke lëshuar akuza të forta pas ndërprerjes së aktivitetit.
Vllaznia, kampione në fuqi dhe fituese e 27 titujve kombëtarë, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u organizua kampionati dhe mbi incidentet e raportuara gjatë garave. Sipas trajnerëve shkodranë, presionet kanë nisur ndaj sportistëve, kanë vijuar me stafet e ekipeve dhe më pas kanë përfshirë edhe arbitrët, largimi i të cilëve ndikoi në moszhvillimin e finaleve.
Përfaqësuesit e Vllaznisë pretendojnë se në Pallatin e Sportit në Tiranë janë shënuar tri episode dhune, ku janë përfshirë sportistë dhe tifozë, ndërsa ndërhyrja e policisë nuk ka arritur të parandalojë përshkallëzimin e situatës.
Gjoni e lidh këtë ngjarje edhe me atë që ai e cilëson si trajtim të padrejtë ndaj ekipit të femrave të Vllaznisë në të kaluarën, duke ngritur dyshime për një model të përsëritur veprimesh kundër klubit shkodran.
Në këtë kampionat garuan disa prej ekipeve më të njohura të boksit shqiptar, mes tyre Vllaznia, Partizani, Tirana, Flamurtari, Studenti, Dinamo, Elbasani, Teuta, Apolonia “Green Team” dhe “Albania”. Megjithatë, në vend që aktiviteti të përfundonte në ring, kampionati u shoqërua me përplasje dhe akuza, ndërsa finalet mbetën pa
u zhvilluar.

