Figura e një prej aktorëve më të spikatur të artit shqiptar, Kadri Roshi, u rikthye në vëmendje përmes një veprimtarie të organizuar në Teatrin “Migjeni”. Përmes dokumentarit, fotografive dhe dëshmive të njerëzve që ndanë me të momente të jetës dhe të karrierës, publiku pati mundësinë të njihte më nga afër rrugëtimin e artistit të madh.
Përtej roleve të shumta që e bënë të paharrueshëm në skenë dhe në kinematografi, rrëfimet e miqve, artistëve dhe shkrimtarëve sollën në pah edhe dimensionin njerëzor të Kadri Roshit, duke dëshmuar ndikimin që ai la te njerëzit me të cilët punoi dhe jetoi.
Nisma u ideua nga i biri, aktori Kliti Roshi, i cili synon që përmes këtij aktiviteti të nderojë kujtimin e të atit, por edhe kontributin e brezit të artistëve që formësuan historinë e teatrit dhe filmit shqiptar.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë ishte edhe prezantimi i librit të Kliti Roshit, “Kadri Roshi në jetët e të tjerëve”. Përmes këtij botimi, autori sjell kujtime dhe këndvështrime që zbulojnë se ndikimi i aktorit nuk u kufizua vetëm në veprat artistike, por u shtri edhe në jetën e atyre që patën mundësinë ta njihnin nga afër.
Drejtori i Teatrit “Migjeni”, Gerti Palali, vlerësoi rëndësinë e organizimeve të tilla, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës kulturore dhe në përcjelljen e kontributit të figurave të shquara artistike te brezat e rinj.
Kadri Roshi mbetet një nga emrat e mëdhenj të skenës dhe ekranit shqiptar. Me interpretimet e tij të veçanta, ai u dha jetë personazheve që vazhdojnë të mbeten pjesë e kujtesës kolektive. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, u nderua me titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.
Vitet kalojnë, por vepra e Kadri Roshit vazhdon të jetojë përmes roleve, kujtimeve dhe ndikimit që la në artin shqiptar. Aktiviteti në Teatrin “Migjeni” ishte një tjetër dëshmi se emrat e mëdhenj të kulturës mbeten të gjallë sa herë që vepra dhe historia e tyre rikthehen te publiku.

