Lëvizjet në pikat kufitare të qarkut Shkodër vijojnë edhe gjatë muajit tetor, por me ritme më të ulëta krahasuar me periudhën e pikut turistik.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar gjithsej 11.355 shtetas në pikat kufitare të Muriqanit dhe Hanit të Hotit. Prej tyre, 6.441 kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 4.914 kanë dalë nga territori shqiptar.
Edhe qarkullimi i automjeteve ka vijuar me shifra të konsiderueshme. Në të dyja pikat kufitare janë përpunuar 4.887 mjete, nga të cilat 2.699 në hyrje dhe 2.188 në dalje.
Ndërkohë, Shqipëria vijon të presë vizitorë të huaj edhe në këtë periudhë të vitit. Gjatë 24 orëve janë regjistruar 1.751 shtetas të huaj që kanë hyrë në vend për qëllime turistike.
Pavarësisht uljes së lëvizjeve pas sezonit veror, pikat kufitare të qarkut Shkodër mbeten aktive. Shërbimet e Kufirit dhe Migracionit vijojnë të jenë në gatishmëri për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve, me synimin për të siguruar kalim sa më të shpejtë dhe për të shmangur vonesat në kufi.

