Banorët e zonës së Bërdicës i kërkojnë Bashkisë Shkodër të ndërhyjë për krijimin e një stacioni të ndërmjetëm të transportit urban pranë rrethrrotullimit te Harku i Bërdicës, në linjën ish-Fermentim–Bahçallëk.
Kjo kërkesë është ngritur sërish pas përfundimit të punimeve në aksin rrugor që lidh urën e Bahçallëkut me Harkun e Bërdicës. Krahas zgjerimit dhe rikonstruksionit të rrugës, në këtë segment është ndërtuar edhe një rrethrrotullim, ku kalon aktualisht autobusi i linjës urbane.
Sipas banorëve, një numër i konsiderueshëm nxënësish të kësaj zone udhëtojnë çdo ditë drejt qytetit për të ndjekur mësimin. Për këtë arsye, ata kërkojnë që pranë komunitetit të tyre të vendoset një stacion, i cili do ta bënte më të lehtë përdorimin e transportit publik.
Mungesa e një pike ndalimi në këtë zonë krijon vështirësi në lëvizjen e përditshme, veçanërisht për nxënësit dhe të moshuarit, të cilët kanë nevojë për një shërbim më të aksesueshëm.
Ndërsa presin një zgjidhje për kërkesën e tyre, banorët vlerësojnë punimet e kryera në lagjen Bahçallëk, duke theksuar se zgjerimi i rrugës ka përmirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.

