Pas gjashtë vitesh qëndrimi në Francë, Elisa Hasanaj vendosi të rikthehej në Shqipëri dhe të ndiqte një rrugë krejt tjetër nga formimi i saj profesional. E diplomuar në menaxhim dhe administrim, 25-vjeçarja nga Shkodra zgjodhi të bëhej pjesë e Policisë së Shtetit, një dëshirë që e kishte prej kohësh.
Prej dy vitesh, Elisa shërben në Stacionin e Policisë Kufitare në Hanin e Hotit, ku është angazhuar si operatore e sistemit të kamerave. Një punë që zhvillohet larg vëmendjes së udhëtarëve, por që kërkon përqendrim të vazhdueshëm dhe vëzhgim të kujdesshëm të çdo lëvizjeje në pikën kufitare.
“Jam kthyer në Shqipëri për të jetuar dhe kam hyrë në polici, pasi e kisha pasion”, tregon 25-vjeçarja, e cila vendosi të ndërtonte të ardhmen në vendlindje, në vend që të vazhdonte jetën jashtë vendit.
Përmes monitorimit të kamerave, Elisa është pjesë e rëndësishme e punës së përditshme në kufi, ku vëmendja ndaj detajeve dhe përgjegjësia janë thelbësore për mbarëvajtjen e shërbimit.
Historia e saj është bërë publike nga Policia e Shtetit, si shembull i një të reje që u kthye nga emigracioni për të ndjekur pasionin dhe për të kontribuar në vendin e saj, këtë herë e veshur me uniformën e
policisë.

