Rreth 50 persona u vunë në pranga gjatë një operacioni të gjerë ndërkombëtar policor kundër një organizate të trafikut të drogës, të përbërë kryesisht nga individë nga Ballkani Perëndimor, e cila dyshohet se ka lidhje me vrasje, rrëmbime dhe sulme të armatosura në disa shtete të Evropës.
Hetimi, me mbështetjen e Europol, zbuloi se grupi kriminal maskonte dërgesat e mëdha të drogës brenda mallrave të ligjshme tregtare. Në rast të dështimit të transportit ose konfiskimit të drogës, apo edhe në situata të konflikteve të brendshme, anëtarë të grupit dhe familjarët e tyre shpesh bëheshin objekt i akteve të dhunshme hakmarrjeje.
Faza kulmore e operacionit ndodhi më 6 tetor, kur policia kreu kontrolle në 42 lokacione në Slloveni dhe Spanjë. Hetuesit nga këto vende bashkëpunuan ngushtë me autoritetet kroate, ndërkohë që arrestimet u drejtuan në kohë reale nga një qendër e posaçme mbështetur nga Europol në Lubjanë.
Operacioni çoi në ndalimin e 34 personave në Slloveni, një në Spanjë dhe një tjetër në Kroaci, ndërsa 11 të tjerë ishin arrestuar më parë. Në kuadër të aksionit policor, u konfiskuan 66 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë, si edhe armë zjarri, bizhuteri dhe para cash.
Dyshime për vrasje dhe përdorim eksplozivësh
Sipas hetimeve, rrjeti lidhet me disa incidente të armatosura, disa vrasje dhe tentativa vrasjesh, si dhe me rrëmbimin e një anëtari të organizatës. Në këto sulme janë përdorur edhe eksplozivë, përfshirë granatat e dorës, ndërkohë që shënjestra ishin kryesisht vetë anëtarët e rrjetit ose të afërmit e tyre.
Autoritetet dyshojnë se dhuna shërbente për të rikuperuar humbjet, ndëshkuar të dyshuarit si përgjegjës dhe forcuar kontrollin mbi aktivitetet kriminale të grupit. Hetimi gjithashtu evidentoi një tentativë vrasjeje të ndodhur në Spanjë.
Strukturat e rrjetit përfshinin shtetas nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia, së bashku me persona nga Sllovenia, Bullgaria, Turqia dhe Holanda.
Lënda narkotike maskohej brenda ngarkesave komerciale
Organizatorët përdornin mjetet e komunikimit të enkriptuara si SKY ECC dhe CryptCom për të bashkërenduar transportin e drogës, duke shmangur zbulimin nga autoritetet.
Siç bën të ditur Europol, shoferët e rekrutuar – kryesisht nga Sllovenia, Bosnja-Hercegovina dhe Bullgaria – transportonin lëndët narkotike së bashku me mallra të lejuara përmes kamionëve, furgonëve dhe makinave.
Lloje të ndryshme drogash, përfshirë kokainë, kanabis, amfetaminë, MDMA dhe metamfetaminë, lëviznin nga Belgjika, Holanda dhe Spanja drejt vendeve të tjera evropiane, duke përdorur korridore ekzistuese të tregtisë për të fshehur trafikun.
Gjatë periudhës nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, autoritetet kanë arritur të sekuestrojnë 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA.
Pavarësisht këtyre sekuestrimeve, hetimet tregojnë se aktiviteti i rrjetit ishte shumë më i madh. Përmes provave dhe komunikimeve të koduara, janë identifikuar gjithashtu rreth 2.5 tonë kanabis, 474 kilogramë kokainë, 104 kilogramë heroinë, 30 kilogramë amfetaminë dhe 11.6 kilogramë MDMA të dyshuara si të trafikura nga grupi.
Po ashtu, hetuesit kanë evidentuar edhe mijëra tableta ekstazi, ketaminë, hashash, kërpudha psikoaktive si dhe substanca kimike për prodhimin e narkotikëve. Operacioni përfshiu agjenci nga 22 shtete të ndryshme dhe u koordinua nga një qendër Europol-i në Lubjanë.

