Administratori i kompanisë eco-elb SHA, Leli Kaja, është arrestuar pasi është kapur duke marrë një zarf me para. Sipas burimeve zyrtare, zyrtari i inceneratorit të Elbasanit ka kërkuar dhe pranuar një shumë prej 4 milionë lekësh të vjetra, bankënotat e së cilës ishin regjistruar më herët nga SPAK. Paratë dyshohet se janë marrë në këmbim të mos ndërhyrjes nga ana e tij në një procedurë ligjore.
Procedurat hetimore nisën katër ditë më parë, pas një referimi nga Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila po shqyrton dhe lidhje të tjera të mundshme të paligjshme që lidhen me operatorë ekonomikë të tjerë. Gjatë aksionit janë sekuestruar disa telefona celularë dhe dokumente zyrtare.
Që prej tetorit të vitit 2022, Leli Kaja ushtron funksionin e administratorit të eco-alb SHA. Të enjten, ai pritet të dalë para Gjykatës së Posaçme, e cila do të vendosë lidhur me masën e sigurisë ndaj tij.
Ende mbetet për t’u parë sesi do të vijojë seanca, duke qenë se avokatët kanë paralajmëruar bojkot të masave të sigurisë në GJKKO dhe kanë tërhequr listën e avokatëve kryesisht, të njohur ndryshe edhe si avokatë të caktuar nga shteti.

