Skandali në kopshtin e fëmijëve në Korçë zgjeron përmasat e tij, pasi listës së fëmijëve të prekur nga probleme shëndetësore i janë shtuar edhe raste të tjera.
Pasi gjashtë fëmijë u dërguan në spital me shenja të problemeve gastrointestinale, burime të ndryshme bëjnë të ditur se edhe të tjerë kanë pasur simptoma të ngjashme, por nuk kanë kërkuar trajtim spitalor.
Raportimet nga prindërit tregojnë se shqetësimet janë shfaqur pas konsumimit të drekës në ambientet e kopshtit. Disa prej tyre kanë njoftuar për probleme me shëndetin e fëmijëve, siç raporton gazetarja Lorena Kodra.
Prindërit kanë reaguar me indinjatë, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë pa vonesë. Ata shtrojnë nevojën për marrjen e masave të menjëhershme për të kontrolluar situatën dhe për të siguruar kushte të sigurta për fëmijët.
Hetimet rreth këtij rasti janë ende në vijim, për të përcaktuar nëse simptomat lidhen me ushqimin e shërbyer në kopsht apo nëse ka faktorë të tjerë të përfshirë.

