Ish-prokurori Ervin Karanxha ka theksuar se një pjesë e videove intime të shpërndara së fundmi dyshohet se ishin publikuar më herët në faqe për të rritur me akses me pagesë.
Karanxha vë në dukje nevojën që hetimet të shtrihen edhe drejt identifikimit të burimit të publikimit dhe të personave që mund të kenë përfituar ekonomikisht nga përhapja e këtyre materialeve.
Sipas tij, nëpërmjet letërporosive dhe bashkëpunimit me institucionet në shtetet ku operojnë këto platforma, autoritetet shqiptare mund të kërkojnë informacion mbi llogaritë, adresat elektronike dhe individët që kanë përfituar të ardhura përmes klikimeve apo abonimeve.
“Do të jetë një hetim i plotë dhe i gjithanshëm që do të gjejë se cilat janë faqet, çfarë adresash kanë dhe kush i ka marrë të gjitha këto para”, deklaroi Karanxha.
Duke u ndalur te materialet që dyshohet se janë xhiruar nga kamera brenda dhomës së kompozitorit Adrian Hila, ish-prokurori theksoi se është e domosdoshme të verifikohet nëse këto video janë ngarkuar në platforma me pagesë dhe kush qëndron pas publikimit të tyre.
Karanxha shtoi se gjurmimi i pagesave dhe të dhënave të përdoruesve në këto platforma mund të lehtësojë autoritetet në zbardhjen e identitetit të personit që ka hedhur materialet dhe që mund të ketë përfituar të ardhura prej tyre.

