Specialisti i teknologjisë së informacionit, Edmond Liçaj, realizoi një demonstrim të drejtpërdrejtë për të treguar se kamerat e sigurisë nuk mund të kontrollohen vetëm nga pronari i tyre, por potencialisht mund të aksesohen edhe nga të tjerë që nuk kanë lidhje me to.
Përmes telefonit të tij, Liçaj u fut në një kamerë që ishte e hapur për publikun, e pozicionuar në banesën e një gruaje që jetonte jashtë Shqipërisë.
Ai theksoi rëndësinë e vendosjes së PIN-eve dhe fjalëkalimeve kur kamerat instalohen në hapësira private apo biznese, me qëllim që vetëm zotëruesit e tyre të kenë mundësi hyrjeje, duke shmangur kështu aksesin nga persona të paautorizuar.
“Zonja është në ambient, në hapësirë private, në ballkonin e saj. Është marrë për ilustrim në një video publike live, ku është data dhe ora, 03.10.2026. Ajo zonja është në ballkonin e shtëpisë së saj, por kamerat e saj janë në një pjesë të një liste të miliona kamerave që e ka montuar tekniku dhe ka ngelur e hapur dhe publike. Që do të thotë, nëse ti nuk e ke konfiguruar dhe i ke lënë ashtu siç është montuar, ka një mundësi për të hyrë edhe të tjerët. Është sikur blen një telefon dhe e lë diku pa vendosur PIN-in, mund të të futet dikush tjetër. Kur PIN-in e di vetëm unë, futem vetëm unë, edhe te kamerat është e njëjta gjë. Dhe çdo gjë tjetër që ne posedojmë nuk duhen ndarë fjalëkalimet dhe PIN-i me njerëzit e tjerë”, tha ai.
Burimi: Euro News

