Kontrolle më të rrepta për kanabisin mjekësor dhe industrial, si do të monitorohen kompanitë sipas VKM-së

Publikuar me datë:

Këshilli i Ministrave ka miratuar të premten një projektvendim që vendos rregullore të reja dhe më të detajuara për mbikëqyrjen e subjekteve që merren me aktivitetin e cannabis-it për përdorim mjekësor dhe industrial.

Sipas këtyre rregullave të reja, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it do të jetë përgjegjëse për kontrollin, duke vepruar në përputhje me ligjin nr. 61/2023. Mbikëqyrja do të shtrihet në të gjitha etapat e procesit – nga importimi i farërave dhe fidanëve, tek kultivimi, korrja, përpunimi, magazinimi, transporti, eksporti si dhe asgjësimi i produktit.

Projektvendimi parashikon që inspektimet të organizohen bazuar në një program vjetor dhe sipas analizës së riskut. Megjithatë, mund të kryhen kontrolle të papritura edhe pa lajmërim paraprak, sidomos në ato raste kur lindin dyshime për shkelje të mundshme të rregullave.

Dokumenti përcakton që çdo lëvizje e materialit të jetë e regjistruar në një sistem kombëtar për gjurmueshmëri.

Pas përfundimit të korrjes, materiali nuk lejohet të kalojë në fazat pasuese të procesimit pa u regjistruar, por edhe, kur është e nevojshme, pa i nënshtruar analizave të caktuara.

Për canabisin industrial, kufiri maksimal i lejuar i THC-së është vendosur në 0.8%. Nëse rezultatet e analizave tregojnë vlera mbi këtë prag, loti përkatës do të vihet në karantinë. Subjekti ka të drejtë të kërkojë një ritestim brenda afatit prej dy ditësh pune.

Kur konstatohet një shkelje, kompanive u kërkohet të marrin masa korrigjuese brenda 30 ditëve. Më pas, do të kryhet një rikontroll për të siguruar që shkeljet janë adresuar siç duhet.

Materiali për të cilin ka dyshime mund të sekuestrohet në mënyrë të përkohshme. Konfiskimi realizohet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe asgjësimi i materialit do të mundësohet vetëm nga subjekte me autorizim përkatës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related