Spanjë/ Vazhdojnë protestat, qytetarët kundër kostos së strehimit

Publikuar me datë:

Protestuesit në sheshin qendror të Madridit u zotuan të hënën se do të vijojnë presionin ndaj kryeministrit Pedro Sanchez për të adresuar krizën e strehimit, duke iu përgjigjur thirrjes së një gruaje 87-vjeçare që të vazhdohet me protestat.

Rreth 100 tenda janë ngritur në sheshin Puerta del Sol të Madridit nga demonstruesit, pasi dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën të dielën në rrugët e qytetit duke kërkuar uljen e kostos së banesave dhe më shumë mbrojtje për qiramarrësit.

Nxitja për këtë lëvizje erdhi pasi policia largoi të mërkurën e kaluar nga banesa e saj një grua 87-vjeçare në Madrid.

“Ju kërkoj të gjithëve të jeni kurajozë, të luftoni  dhe të mbroni atë që ju përket”, u shpreh më pas gruaja përmes një videoje të publikuar në “X” nga Sindikata e Qiramarrësve të Madridit.

Pasi u shtrua në spital pas dëbimit, gruaja u kthye në simbol të kundërshtimeve ndaj rritjes së shpejtë të çmimeve të banesave në Spanjë.

Kryeministri Sanchez, i cili është përballur me kritika të forta edhe nga radhët e vetë partisë së tij për mungesën e veprimeve të efektshme kundër shtrenjtimit të banesave, pritet të prezantojë një projektligj të ri të martën.

Sanchez u ka bërë apel forcave politike të mbështesin këtë projekt, i cili synon masa si rinovimi automatik i kontratave të qirasë dhe kufizimi i mëtejshëm i dëbimeve.

Megjithatë, partia e kryeministrit nuk ka shumicën në Parlamentin spanjoll, duke e lënë të paqartë të ardhmen e projektligjit, sidomos pasi një paketë e ngjashme dështoi më parë këtë vit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related