Shkodra u kthye për tre ditë në një hapësirë ku arti, teknologjia dhe ndërgjegjësimi mjedisor u ndërthurën me idetë e të rinjve. Aktivitetet u zhvilluan nga Qendra Rinore ARKA, në kuadër të eventit të dytë transnacional të projektit “Art for Earth: Youth Shaping Sustainable Cities Creatively – Radical Green”.
Nisma nisi me prezantimin e projektit, objektivave dhe aktiviteteve të parashikuara. Në takim morën pjesë Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda, përfaqësues të pushtetit vendor, ekspertë, artistë, të rinj dhe organizata të shoqërisë civile.
Në qendër të diskutimeve ishte roli i të rinjve në krijimin e qyteteve më të qëndrueshme, si dhe përdorimi i artit dhe kulturës për të përcjellë mesazhe mbi mbrojtjen e mjedisit.
Dita e dytë u fokusua te kreativiteti përmes materialeve të riciklueshme dhe elementeve të natyrës. Në workshop-et “From Waste and Nature to Creative Climate Action”, pjesëmarrësit eksperimentuan me artin e riciklimit dhe Land Art, ndërsa Digital Art dhe teknologjia AR u përdorën për të trajtuar çështjet e ndërgjegjësimit mjedisor.
Një tjetër moment ishte “Our Radical Green Shkodër”, ku të rinjtë sollën idetë e tyre për biodiversitetin, riciklimin dhe mënyrat se si qytetet mund të zhvillohen në mënyrë më të qëndrueshme.
Dita e tretë iu kushtua biodiversitetit të Shkodrës. Pjesëmarrësit realizuan një instalacion të përbashkët Land Art duke përdorur materiale natyrore dhe duke respektuar parimin “leave no trace”. Mesazhet e të rinjve dhe një performancë artistike i dhanë aktivitetit një tjetër dimension, me fokus mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.
Aktiviteti u mbyll me prezantimin e rezultateve të arritura dhe diskutimin mbi hapat e ardhshëm të projektit “Radical Green”, duke synuar të vijojë përfshirjen e të rinjve përmes artit, kulturës dhe nismave për qëndrueshmëri në Evropë.
Në projekt janë përfshirë Valletta Local Council, Focus Europe ETS, Farm Cultural Park, Parc Naturel Régional de Corse, CODE Partners dhe Sustainable Communication AISBL – S-COM.

