Një fëmijë dyvjeçar është eutanizuar në Holandë, duke shënuar rastin e parë të vdekjes së asistuar për një fëmijë nën moshën 12 vjeç në këtë shtet.
Ngjarja ndodhi në fund të vitit 2025 dhe u bë e njohur në qershor, kur Ministrja e Shëndetësisë Sophie Hermans informoi parlamentin holandez për këtë rast.
Në Holandë, eutanazia për foshnjat është aplikuar prej vitesh. Ligji deri së fundmi lejonte eutanazinë vetëm për të porsalindurit dhe fëmijët mbi 12 vjeç. Ky është rasti i parë që një fëmijë nën 12 vjeç, jashtë grupit të foshnjave, i është nënshtruar vdekjes së asistuar në vend.
I lindur para kohe në javën e 26-të të shtatzënisë, fëmija kishte probleme të rënda shëndetësore, përfshirë paralizë cerebrale, dëmtim të shikimit dhe kriza të shpeshta. Ai nuk reagoi ndaj trajtimeve mjekësore, ishte në shqetësim të vazhdueshëm dhe kishte vështirësi serioze me gjumin, ndërsa grumbullimi i mukusit në mushkëri e pengonte rëndë në frymëmarrje.
Pasi u konstatua se gjendja nuk mund të përmirësohej dhe duke marrë parasysh pasojat e shumta shëndetësore, ekipi mjekësor përfundoi se ai nuk mund të arrinte moshën madhore. Mjekët gjithashtu vlerësuan se dhimbja e fëmijës nuk mund të kontrollohej me trajtim mjekësor. Në këtë pikë, në konsultim me prindërit, u mor vendimi për t’i dhënë fund jetës së tij.
Me ndryshimet e bëra në vitin 2024, Holanda e zgjeroi ligjin për eutanazinë për të përfshirë fëmijët nga 1 deri në 12 vjeç, por vetëm në rrethana tepër të kufizuara. Ndër kërkesat thelbësore janë që fëmija të ketë vuajtje të padurueshme dhe të pashpresa, të mos ekzistojë asnjë zgjidhje tjetër e arsyeshme dhe që çdo rast të vlerësohet nga të paktën një mjek i pavarur.

