Aktivisti nga Tuzi, Damir Dibra, ka reaguar ashpër ndaj një aktiviteti në Qendrën Kulturore të Tivarit, ku, sipas tij, janë kënduar këngë në nderim të Ratko Mlladiqit, ish-komandantit ushtarak serb të dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
Në reagimin e tij, Dibra ka shprehur indinjatën për praninë e përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe, përfshirë priftërinj dhe peshkopë, në aktivitet. Ai ka kritikuar përdorimin e një hapësire të dedikuar për artin dhe kulturën për një veprimtari të tillë.
Aktivisti ka drejtuar kritika edhe ndaj shqiptarëve që, sipas tij, justifikojnë apo mbrojnë nderimin e figurave të dënuara për krime lufte, duke e cilësuar këtë qëndrim si shpërfillje ndaj viktimave dhe vuajtjeve të shkaktuara gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Dibra ka përdorur tone të ashpra ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve, duke e cilësuar nderimin e Mlladiqit si të papranueshëm dhe në kundërshtim me përgjegjësinë morale që duhet të kenë institucionet kulturore dhe fetare.

