Me rastin e Ditëve Europiane të Trashëgimisë dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, në qytetin antik të zbuluar në Bushat u zhvillua një vizitë, duke vënë në qendër një pasuri të re të shtuar në hartën arkeologjike të Shkodrës.
Ky aktivitet u realizua përmes bashkëpunimit mes Bashkisë Vau Dejës dhe Gjimnazit “Nënë Tereza” të Bushatit, ku nxënësit patën mundësi të njihen nga afër me sitin arkeologjik, si dhe me të rejat dhe gjetjet më të fundit të ekspeditës që është zhvilluar falë projektit të përbashkët shqiptaro-polak.
Gjatë vizitës, u mbajt edhe një veprimtari sensibilizuese që theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe mbrojtjen e mjedisit përreth këtij siti.
Si pjesë e aktivitetit, nxënësit morën pjesë në një aksion pastrimi në territorin e qytetit antik, duke përçuar mesazhin e ndërgjegjësimit dhe rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Zbulimi i qytetit të lashtë në Bushat konsiderohet si një vlerë e madhe për trashëgiminë arkeologjike të rajonit, duke hapur mundësi të reja për kërkime dhe promovimin e historisë së Shkodrës.

