Në fokus të aktivitetit ishte forcimi i bashkëpunimit mes universitetit, institucioneve, bizneseve dhe komunitetit për një turizëm më cilësor, të qëndrueshëm dhe të aksesueshëm në mënyrë digjitale.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi takimin me grupet e interesit në kuadër të projektit “visitShkoder 2.0”, me temë “Bashkëpunim për një turizëm më cilësor, të qëndrueshëm dhe të aksesueshëm digjitalisht në Shqipërinë e Veriut”.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të bizneseve dhe prodhuesve lokalë, organizatave jofitimprurëse, institucioneve lokale, medias, si dhe studentë e pedagogë të Universitetit të Shkodrës.
Takimi u hap nga rektorja e Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Blerta Dragusha, dhe prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda, e cila njëkohësisht është kryetare e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit.
Në fjalën e saj, rektorja Dragusha vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit mes universitetit, sektorit privat, institucioneve dhe komunitetit për t’iu përgjigjur nevojave të zhvillimit të turizmit dhe tregut të punës.
Ajo theksoi se universiteti duhet të jetë një institucion i hapur ndaj territorit, që bashkëpunon me biznesin dhe institucionet publike, nxit kërkimin dhe inovacionin dhe përgatit të rinj me aftësi të përshtatura me nevojat reale të tregut.
Gjatë aktivitetit u prezantua projekti “visitShkoder 2.0”, grupi i punës, funksionimi aktual i platformës visitshkoder.org, si dhe mundësitë për zhvillimin dhe zgjerimin e saj.
Diskutimet u përqendruan te mënyrat se si aktorët lokalë mund të bashkëpunojnë për promovimin e destinacioneve turistike, përmirësimin e ofertës dhe përdorimin e teknologjisë për ta bërë informacionin turistik më të aksesueshëm.
Takimi shërbeu gjithashtu si një hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe forcimin e bashkëpunimit mes Universitetit të Shkodrës, institucioneve, bizneseve, organizatave, medias dhe komunitetit lokal.
Projekti “visitShkoder 2.0” është fituar në kuadër të thirrjes PTI 2026 dhe financohet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).

