Protesta e tretë e banorëve të Burimasit kundër projektit për furnizimin me ujë të Zvezdës është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.
Banorët kanë bllokuar rrugën e fshatit, duke mos lejuar kalimin e mjeteve të rënda të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime. Ata kundërshtojnë ndërhyrjen në burimin që, sipas tyre, siguron furnizimin me ujë të Burimasit.
Për banorët, zgjidhja për Zvezdën duhet të kërkohet diku tjetër. Ata shprehen se nuk do të pranojnë që burimi i fshatit të përdoret për të furnizuar një tjetër zonë.
Debatet janë përshkallëzuar në momentin e ndërhyrjes së policisë për lirimin e rrugës dhe vijimin e punimeve. Banorët kanë kundërshtuar ndërhyrjen e forcave të rendit, ndërsa kanë deklaruar se do të vijojnë protestat. Nga përplasjet, një personi i ka rënë të fikët.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime jep një tjetër version. Sipas saj, projekti është pjesë e një skeme rajonale dhe nuk parashikon dëmtimin e furnizimit të Burimasit.
Thoma Koroveshi, drejtues i njësisë së projektimit dhe zhvillimit të standardeve, sqaron se depoja e Burimasit, me kapacitet 200 metër kub, ishte ndërtuar fillimisht për Burimasin dhe Ormanin. Me zgjidhjen e furnizimit të Ormanit përmes një investimi të mëparshëm, kapaciteti i liruar është parashikuar të shërbejë për furnizimin e Zvezdës.
Por argumenti i institucioneve nuk i ka bindur banorët. Ata thonë se janë të gatshëm të presin për zgjidhjen e problemit të ujit në Zvezdë, por jo në kurriz të fshatit Burimas.

