Agjentët e ICE Boston kanë arrestuar në Wolcott të Connecticut-it 56-vjeçarin shqiptar Hasan Billa, i cili përballet me akuza të ngritura në lidhje me një hetim për shfrytëzim seksual të të miturve.
Sipas autoriteteve amerikane, Billa u arrestua më 3 shtator gjatë një operacioni të posaçëm të ICE. Ai ndodhej në SHBA në mënyrë të paligjshme, sipas agjencisë amerikane të emigracionit.
Akuzat ndaj tij lidhen me një operacion të zhvilluar më 28 maj në Hartford, ku një detektiv i infiltruar u paraqit online si një vajzë 15-vjeçare. Sipas policisë, Billa ishte një nga tre personat që shkuan në një hotel në Hartford, duke besuar se do të takonin të miturën për kryerjen e marrëdhënieve seksuale.
56-vjeçari përballet me akuza për tentativë të kontaktit seksual me një viktimë nën 16 vjeç, tentativë për sulm seksual të shkallës së dytë dhe tentativë për abuzim seksual komercial ndaj një të miture.
Operacioni u zhvillua nga Policia e Hartfordit në bashkëpunim me task-forcën e FBI-së për krimet ndaj fëmijëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Billa dhe dy personat e tjerë u arrestuan pa incidente.
Akuzat ndaj Hasan Billës janë ende në proces dhe ai nuk është shpallur fajtor nga gjykata. ICE nuk ka bërë publike detaje të mëtejshme mbi statusin e tij të emigracionit apo procedurat e mundshme të dëbimit.

