Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar me tone të ashpra ndaj fjalimeve të mbajtura në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pa përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Erdogan theksoi se “kriminelët e luftës” duhet të përballen me drejtësinë dhe jo të marrin fjalën në skenën e OKB-së.
Ai theksoi më tej se autorët e gjenocidit duhet të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.
“Kriminelët e luftës nuk e kanë vendin në podiumin e OKB-së, por në sallat e gjyqit, ku do të mbahen përgjegjës për krimet që kanë kryer dhe gjakun që kanë derdhur”, deklaroi Erdogan gjatë ceremonisë së mbylljes së Panairit të 21-të Ndërkombëtar të Tregtisë MUSIAD EXPO dhe Forumit të 29-të Ndërkombëtar të Biznesit në Stamboll.
“Nëse ata që kryejnë gjenocid nuk mbahen përgjegjës para drejtësisë dhe historisë, të njëjtat mizori do të përsëriten”, paralajmëroi ai në fjalimin e tij.
Erdogan nënvizoi edhe një herë mbështetjen e Turqisë për kauzën palestineze, duke theksuar: “Populli palestinez nuk është vetëm dhe as i braktisur. Motrat dhe vëllezërit tanë në Gaza nuk janë vetëm në luftën e tyre për të drejta dhe drejtësi”.
“Ne do të vazhdojmë, me sa më shumë që të jetë e mundur, të themi të vërtetën dhe të bëhemi zëri i të shtypurve”, shtoi presidenti turk.
Ai shtoi gjithashtu se rajoni, me Turqinë qëndrore në të, është duke kaluar një “stuhi të përsosur krizash”, ndërkohë që sistemi ndërkombëtar, sipas tij, “është në një rrugë pa krye sa i përket legjitimitetit, përfaqësimit dhe drejtësisë”.
Vlen të kujtohet se të enjten e kaluar, gjatë fjalës së kryeministrit izraelit në Asamblenë e OKB-së, dhjetëra diplomatë u larguan nga salla.

