Kalaja e Rozafës në Shkodër po tërheq një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh, si nga vendi ashtu edhe nga jashtë.
Kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar kalanë si një nga thesaret më të vizituara të trashëgimisë sonë historike, publikoi sot në rrjetet sociale pamje të Kalasë së Rozafës të mbushur me turistë.
E pozicionuar mbi një kodër shkëmbore në pjesën perëndimore të Shkodrës, kalaja është e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve kryesorë të zonës: Drinit, Bunës dhe Kirit.
Muret rrethuese të kalasë mbajnë gjurmët e ndërtimit nga katër periudha të ndryshme: periudha e Balshajve në shekullin XIV, sundimi venecian në shekullin XV, pushtimi osman gjatë shekujve XVI dhe XVII, si dhe periudha e Bushatlinjve në shekujt XVIII dhe XIX.
Kjo kala, e ngritur në kohën e mbretërisë Ilire, lidhet me një legjendë të vjetër që shfaq vlerat e Besës legjendare dhe të mbajtjes së premtimeve.
Për herë të parë, Kalaja përmendet si qendër e fortifikuar ilire nën sundimin e mbretit ilir Gent. Emri Rozafa del në kronikat e mesjetës, kur ajo kaloi në duar të ndryshme mes sllavëve dhe bizantinëve.
Brenda mureve të kalasë ndodhen ambientet e shumta, si garnizone, depo të ndryshme, një godinë administrative dhe të tjera. Hapësira e brendshme ndahet përmes mureve që krijojnë tre oborre të veçanta, të lidhura me porta ndërmjet tyre.
Ndër objektet e rëndësishme me vlerë të madhe kulturore renditen cisternat e ujit nga shekulli XV, katedralja e shekullit XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami, si dhe muzeu i Rozafës, që prezanton periudhat kryesore historike të kalasë.

