Ministrja e Shëndetësisë vizitoi Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe vlerësoi kapacitetet dhe shërbimet e specializuara
Pak ditë pas emërimit në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbështetjes Sociale, Klodiana Spahiu ka zhvilluar një vizitë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku është njohur nga afër me shërbimet dhe kapacitetet e këtij institucioni.
Gjatë vizitës, Spahiu vlerësoi zhvillimin e shërbimeve të specializuara dhe kapacitetet e krijuara ndër vite, duke e konsideruar Spitalin Rajonal të Shkodrës si një strukturë me rëndësi për ofrimin e shërbimit shëndetësor në veri të vendit.
Sipas ministres, niveli i konsoliduar i shërbimeve krijon mundësi që spitali të avancojë më tej dhe të zhvillohet drejt një profili universitar.
Spahiu deklaroi gjithashtu se investimet në infrastrukturë, pajisje, shërbime dhe burime njerëzore do të vijojnë, me synim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të spitalit dhe ofrimin e një shërbimi shëndetësor më pranë qytetarëve.
“Kapacitetet e konsoliduara dhe shërbimet e specializuara krijojnë mundësi për një hap të mëtejshëm në zhvillimin e Spitalit Rajonal të Shkodrës drejt profilit universitar. Investimi në kapacitete, shërbime dhe profesionistë do të vijojë”, u shpreh ministrja Spahiu.

