Në kuadër të një operacioni të përbashkët mes forcave amerikane, autoriteteve ekuadoriane dhe DEA-s, u godit një rrjet i dyshuar si degë lokale e kartelit meksikan Jalisco New Generation Cartel (CJNG).
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, deklaroi se gjatë këtij operacioni të shtrirë në disa qytete të vendit, u vunë në pranga mbi 30 shtetas ekuadorianë, të cilët akuzohen për lidhje me kartelin.
Operacioni përfshiu rreth 320 efektivë të policisë ekuadoriane dhe 50 pjesëtarë të Komandës Jugore të SHBA-së.
Sipas autoriteteve, ky grup dyshohet se organizonte trafikun e kokainës nga Kolumbia duke shfrytëzuar portet në jugperëndim të Ekuadorit për ta transportuar drogën drejt tregjeve ndërkombëtare.
Ekuadori, i cilësuar si një partner i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, ka forcuar bashkëpunimin me Uashingtonin në përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar.
Gjatë viteve të fundit, Ekuadori është kthyer në një qendër të rëndësishme të trafikut të kokainës në Amerikën e Jugut, ndërsa grupet lokale kriminale kanë krijuar lidhje të forta me kartele të mëdha meksikane dhe kolumbiane.

