Ekipi i futbollit të femrave të Vllaznisë pritet të jetë pjesë e kampionatit të ri, pas një situate të pasigurt që u krijua pas largimit të Lazër Matisë. Në këtë moment, në ndihmë të skuadrës ka ardhur presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili ka marrë përsipër drejtimin dhe administrimin e ekipit. Ditët e fundit ai ka zhvilluar edhe një takim me futbollistet dhe stafin teknik për të diskutuar për sezonin e ri.
Vendimi i Xhaferit vjen në një kohë kur nuk pati një tjetër person apo strukturë në Shkodër që të merrte përsipër drejtimin e 13 herë kampioneve të Shqipërisë. Fillimisht ishte diskutuar mundësia që Vllaznia të vazhdonte vetëm me ekipin U17, duke mos regjistruar skuadrën e të rriturave. Megjithatë, fakti që futbollistet dhe stafi teknik kanë kontrata në fuqi, si dhe detyrimi që klubet të kenë një ekip femrash sipas rregullave të licencimit, ka bërë që të ndryshojë kjo skemë.
Për këtë vendim është njoftuar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, ndërsa tashmë pritet nisja e kampionatit për të përcaktuar më qartë objektivat dhe organizimin e skuadrës. Pavarësisht vështirësive, Vllaznia e femrave synon të mbetet në garë për titullin kampion dhe të kërkojë një tjetër sukses në futbollin shqiptar.

