Një fenomen i ri po shfaqet në Kinë, ku individët po licencojnë imazhin dhe fytyrën e tyre për përdorime të ndryshme në drama, reklama dhe videolojëra të prodhuara me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Sipas burimeve, vlera e disa prej këtyre marrëveshjeve për përdorimin e fytyrës mund të shkojë deri në 1.4 milionë juanë (180 mijë euro), varësisht nga mënyra e përdorimit dhe periudha e licencimit.
Ndërkohë që avatarët e AI dhe personazhet virtuale po bëhen gjithnjë e më të avancuara, kompanitë janë në kërkim të fytyrave autentike për t’u dhënë përmbajtjeve të tyre një ndjenjë më të fortë realiteti dhe humaniteti.
Ky treg në rritje po hap perspektiva të reja për përfitime financiare nga identiteti digjital. Megjithatë, ai gjithashtu sjell shqetësime rreth pëlqimit, të drejtave të pronësisë dhe mënyrës së përdorimit të imazhit personal në përmbajtje që gjenerohen nga inteligjenca artificiale.

