Turizmi i qëndrueshëm, trashëgimia kulturore dhe natyrore, mbrojtja e mjedisit dhe përfshirja e të rinjve ishin në fokus të një takimi të zhvilluar në Caltagirone të Italisë.
Në kuadër të aktivitetit “Radical Green – Art for Earth”, kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Edmond Ndoj, zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Caltagirones, Fabio Roccuzzo, dhe koordinatorin e Qendrës Rinore “Arka”, Marjan Lukani.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Shkodrës dhe Caltagirones, me fokus të veçantë te mundësitë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në kuadër të programeve evropiane.
Në diskutime u përfshinë tema si turizmi i qëndrueshëm, trashëgimia kulturore dhe natyrore, mbrojtja e mjedisit, përballimi i ndryshimeve klimatike dhe përfshirja e të rinjve në nisma të përbashkëta.
Sipas Edmond Ndojt, palët kanë dakordësuar që puna për identifikimin e thirrjeve evropiane, përgatitjen e ideve të përbashkëta dhe krijimin e partneriteteve të reja të vijojë në mënyrë konkrete.
Bashkëpunimi mes dy palëve synon të krijojë mundësi për projekte të përbashkëta që lidhen me zhvillimin e territorit, mbështetjen e të rinjve, mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e lidhjeve mes komuniteteve.

