Këshilli Bashkiak i Matit ka miratuar këtë të hënë propozimin për shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat, në kuadër të reformës së re administrative-territoriale.Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje jashtë radhe, pas përmbylljes së dëgjesave publike në 8 njësitë administrative të Matit. Në mbledhje ishin të pranishëm 20 nga 21 këshilltarët bashkiakë.
Gjatë diskutimeve, këshilltarët shprehën qëndrimet e tyre për projekt-draftin e propozuar nga mazhoranca, i cili parashikon që Klosi të mos vijojë të funksionojë si bashki më vete, por t’i bashkohet Matit.
Pas diskutimeve, propozimi u hodh në votim, ku 14 këshilltarë votuan pro, 5 kundër dhe 1 abstenoi.Qëndrimi i Këshillit Bashkiak dhe kryetarit të Bashkisë Mat do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa drafti përfundimtar i reformës territoriale pritet të kalojë për votim në parlament më 8 tetor.

