Situata vijon të mbetet shqetësuese në Njësinë Administrative Shushicë, ku zjarret, të nxitura nga era e fortë, po zgjerohen me shpejtësi pranë fshatrave Bunavi dhe Grabian. Flakët kërcënojnë ndërtesat dhe bagëtitë e zonës.
Luan Kapaj, shefi i repartit të intervenimit kundër zjarrit në zjarrfikësen e Vlorës, deklaroi se zona mbetet ende nën rrezik. Ai sqaroi se ndërhyrjet e zjarrfikësve kanë eliminuar mundësinë që banesat të digjen, megjithatë vazhdojnë të digjen sipërfaqe të mëdha me rrënjë ullinjsh dhe pemësh.
“Në këtë territor këtu të këtij fshati është shumë problematike sepse, siç e shikoni vetë, bimësia e dendur e bari i thatë, era janë faktorë që ndikon masivisht në përhapjen e zjarrit. Këtu janë disa banesa që rrezikohen nga zjarri. Por me ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës, ne bëjmë të mundur që të mbrojmë këto banesa. Kurse pjesa tjetër e blegtorisë, ullinjve e të tjerë, u përshkua e gjitha nga flakët e zjarrit, i cili ka shkaktuar goxha dëme.
Rreziku për momentin është evident, por që ne do mundohemi që mos të na digjen banesat për momentin. Sepse ka banorë, ka blegtori, ka çdo gjë… Siç e shikoni vetë, era është shumë e fortë dhe po bën të mundur përhapjen e zjarrit në të gjitha drejtimet”, tha ai.

