Shkodra nuk mbahet në këmbë me fasada!

Publikuar me datë:

Nga Alban Thika

Z. Benet BECI, Shkodra nuk mbahet në këmbë me fasada!

Ndërsa Bashkia prodhon fotografi, kronika dhe propagandë për ndërhyrje sipërfaqësore, përtej kufirit po përgatitet një ndryshim që mund ta godasë drejtpërdrejt ekonominë e Shkodrës.

Qeveria e Malit të Zi ka paralajmëruar paga minimale neto prej:

• 1,000 euro për pozicionet me arsim fillor;

• 1,250 euro për pozicionet me arsim të mesëm;

• 1,400 euro për pozicionet me arsim të lartë.

Nëse kjo strategji zbatohet, Shkodra rrezikon humbje serioze të fuqisë punëtore në turizëm, hoteleri, ndërtim, transport, shëndetësi, prodhim, tregti dhe profesione teknike.

Dhe si po përgatitet Bashkia?

Faqja e saj zyrtare, në vitin 2026, vazhdon ta përshkruajë tregun e punës me të dhëna të viteve 2017–2018. Pra, administrata që pretendon se po ndërton “Shkodrën e së ardhmes” nuk ka publikuar as një pasqyrë aktuale të kapitalit njerëzor që qyteti rrezikon të humbasë.

Ky është ndryshimi ndërmjet propagandës dhe qeverisjes:

Propaganda rregullon sipërfaqen. Qeverisja parashikon rrezikun.

Z. BECI, me një strukturë ekzekutive që përfshin katër nënkryetarë, është koha të uleni në tryezën e punës dhe të hartoni një Strategji për Mbrojtjen e Fuqisë Punëtore dhe Zhvillimin Ekonomik të Shkodrës 2027–2030.

Shkodra ka nevojë për:

• të dhëna të përditësuara mbi punësimin dhe pagat;

• identifikimin e profesioneve që rrezikojnë të zbrazen;

• arsim profesional të lidhur me tregun;

• mbështetje për produktivitetin e bizneseve;

• transport dhe punësim të rregulluar ndërkufitar;

• marrëveshje ekonomike me Ulqinin, Tivarin dhe Podgoricën;

• mekanizma që shkodranët të punojnë në Mal të Zi, por të vazhdojnë të jetojnë dhe të shpenzojnë në Shkodër.

Nëse Tirana nuk arrin të ndërtojë një vizion konkurrues për pagat, Shkodra duhet të dijë të përfitojë nga vizioni ekonomik i fqinjit.

Jo duke eksportuar njerëzit tanë, por duke importuar të ardhurat e tyre.

Pa një përgjigje të menjëhershme, rritja e pagave në Mal të Zi mund ta gjejë Shkodrën të papërgatitur dhe ta ulë në gjunjë ekonominë e saj të brishtë.

Shkodra nuk ka nevojë vetëm për pllaka, bojë dhe fotografi. Ka nevojë për kapital njerëzor, vende pune, produktivitet dhe një strategji ekonomike që shkon përtej mandatit të radhës.

Qyteti nuk qeveriset për “like”. Qyteti qeveriset me vizion, të dhëna dhe përgjegjësi.

Burime: Njoftimi për pagat në Mal të Zi⁠ | Të dhënat e publikuara nga Bashkia për forcën e punës⁠

#Shkodra #KapitaliNjerëzor #Ekonomia #TreguIPunës #QeverisjeVendore #Llogaridhënie

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related