Edhe këtë të enjte në mbrëmje, qytetarët janë rikthyer në protestë para selisë së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për drejtuesit e UÇK-së.
Përpara godinës së Qeverisë, është grumbulluar një turmë e madhe protestuesish, që kanë dalë në rrugë në shenjë reagimi pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Valën e protestave në Prishtinë e nisi menjëherë shpallja e vendimit në Hagë, që dje. Gjatë ditës së kaluar, qytetarët fillimisht u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” dhe më pas një pjesë e tyre marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë, si dhe tek selia e EULEX-it.

