Gazetari sportiv dhe publicisti i njohur, Engjëll Gjolaj, është vlerësuar me titullin e nderit nga Bashkia Malësi e Madhe për kontributin e tij në pasqyrimin dhe promovimin e sportit të kësaj treve.
Vlerësimi është bërë i ditur nga kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, i cili ka vlerësuar veprimtarinë shumëvjeçare të Gjolajt në Shqipëri dhe Itali, si dhe kontributin e tij në promovimin e vlerave sportive të Malësisë së Madhe brenda dhe jashtë vendit.
Në kuadër të aktivitetit u promovua edhe libri i Gjolajt, “Nga fushat e vogla të Malësisë drejt stadiumeve të botës”. Vepra sjell në vëmendje historinë, pasionin dhe arritjet e sportit malësor, duke dokumentuar rrugëtimin e sportistëve dhe zhvillimin e sportit në këtë zonë.
Marinaj e ka cilësuar vlerësimin si një mirënjohje për punën dhe përkushtimin e Engjëll Gjolajt ndër vite në pasqyrimin e sportit dhe në promovimin e Malësisë së Madhe.

