Një monument i ri i është shtuar panoramës së Shëngjinit. Shtatorja rreth 9 metra e lartë e Mbretëreshës Teuta është vendosur në zonën e Ranës së Hedhun, përgjatë aksit Shëngjin–Velipojë.
Vepra monumentale është ideuar nga gazetari Marin Mema, ndërsa realizimi i saj i është besuar skulptorit Julian Muçollari. Financimi është bërë nga shqiptarë që jetojnë në diasporë.
Në ceremoninë e zbulimit të shtatores morën pjesë përfaqësues të institucioneve, historianë, studiues dhe qytetarë, ndërsa figura e Mbretëreshës Teuta u rikthye në fokus si një prej personazheve të rëndësishëm të historisë ilire.
Marin Mema e cilësoi vendosjen e monumentit si një moment të veçantë, duke theksuar se kjo është shtatorja e parë e një mbretëreshe ilire në Shqipëri.
“Uroj që kjo të jetë vetëm fillimi dhe të ketë edhe vepra të tjera që na rikujtojnë trashëgiminë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar”, u shpreh Mema.
E vendosur në një prej pikave panoramike të Shëngjinit, shtatorja e Teutës pritet të shërbejë jo vetëm si një simbol historik, por edhe si një pikë e re interesi për vizitorët që frekuentojnë zonën.

