Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka larguar nga posti Prokurorin e Përgjithshëm të vendit, Ruslan Kravchenko, pasi zyra e këtij të fundit është akuzuar për mbështetjen e skemave mashtruese të qendrave të thirrjeve, në këmbim të ryshfeteve.
Zelensky, në një postim në Telegram, theksoi: “Prokurori i Përgjithshëm ka vetëm një rrugëdalje: shkarkimin”, duke bërë apel që deputetët të miratojnë vendimin “pa vonesë”.
Pas kësaj deklarate, në faqen zyrtare të Presidencës së Ukrainës u publikua dekreti për lirimin nga detyra të Ruslan Kravchenkos.
Kravchenko, i cili në fillim të shtatorit kishte bërë me dije synimin e tij për të dhënë dorëheqje, edhe pse hedh poshtë akuzat ndaj tij, deklaroi të mërkurën se ishte “në një mision jashtë vendit”.
Ai publikoi një video në kanalin e tij në Telegram, ku u shpreh: “Kam ndërmend t’i informoj partnerët tanë ndërkombëtarë rreth situatës reale brenda shërbimeve antikorrupsion, rreth indikacioneve të një përqendrimi të pakontrolluar të ndikimit nga ana e tyre dhe rreziqeve që sjell një praktikë e tillë”.
Gjithashtu, Kravchenko bëri të ditur se kishte paraqitur një padi kundër kreut të Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU), Semyon Krivonos, duke e akuzuar për “falsifikim të dokumenteve zyrtare”.
Në fillim të shtatorit, NABU kreu hetime në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke njoftuar se kishte identifikuar një rrjet që siguronte mbrojtje për qendra thirrjesh të përfshira në mashtrime telefonike dhe “pastronte miliona dollarë”. Hetuesit raportuan se ryshfetet ishin përdorur për blerjen e pasurive të paluajtshme, bizhuterive dhe sendeve të tjera të kushtueshme.
Organizata “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional” (GI-TOC) vlerëson se rreth 60 000 persona në Ukrainë janë të punësuar në këto qendra thirrjesh të përfshira në mashtrime, që përbëjnë rreth dy të tretat e numrit të përgjithshëm të punonjësve në sektorin bankar të vendit. Të ardhurat nga këto skema mashtruese mund të arrijnë deri në një miliard dollarë çdo muaj.
Korrupsioni mbetet një plagë e thellë për Ukrainën prej shumë kohësh. Pas pushtimit rus, një seri skandalesh janë zbuluar, përfshirë edhe në radhët e ushtrisë.
Në vitin 2025, Zelensky u përpoq të vinte Byronë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke i hequr kështu agjencisë pavarësinë. Por ai ishte i detyruar të tërhiqej, pas reagimeve të ashpra nga shoqëria ukrainase dhe aleatët perëndimorë të Kievit.

