Dita e parë e shkollës këtë vit kishte një emocion të veçantë për kreun e Qarkut Shkodër, Edmond Ndou. Pas rreth 30 vitesh, ai u rikthye në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Pashko Vasa”, këtë herë jo si nxënës, por për t’u uruar fëmijëve që sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre në arsim.
Ndou u takua me nxënësit e klasave të para dhe ndau me ta emocionet e ditës së parë të shkollës, duke i uruar për një vit të mbushur me mësime, shoqëri të reja dhe suksese. Për ta bërë më simbolike këtë ditë, ai u dhuroi fëmijëve edhe pajisje shkollore.
Drejtoresha e shkollës, Ardiana Lepuri, e falënderoi Ndoun për vizitën dhe për zgjedhjen e “Pashko Vasës”, një institucion që për të ka edhe një rëndësi personale, pasi aty ka kaluar vitet e para të arsimimit.
Gjatë vizitës, Ndou përcolli urimet edhe për mësuesit dhe prindërit, duke vënë theksin te rëndësia e krijimit të kushteve dhe mundësive që çdo fëmijë të arsimohet, të zhvillojë talentet dhe të besojë te aftësitë e veta.

