Me mijëra nxënës iu rikthyen sot bankave të shkollës në Shkodër, duke nisur një tjetër vit shkollor mes pritshmërive, emocioneve dhe ëndrrave për të ardhmen.
Në arsimin publik në Shkodër këtë vit janë rreth 10 mijë e 800 nxënës, një shifër që rezulton pothuajse e pandryshuar krahasuar me vitin e kaluar.
Nëse përfshihen edhe institucionet arsimore private, numri i përgjithshëm shkon në rreth 15 mijë nxënës.
Një tregues pozitiv është numri i fëmijëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Këtë vit janë regjistruar rreth 840 nxënës në klasat e para, ndërsa një vit më parë kjo shifër ishte rreth 800.
Edhe në klasat e para të gjimnazeve numri i nxënësve mbetet i qëndrueshëm, me rreth 800 të regjistruar, në të njëjtin nivel me një vit më parë.
Të dhënat e këtij viti sjellin një ndryshim krahasuar me tendencën e viteve të fundit, kur numri i nxënësve në Shkodër ka ardhur në rënie. Këtë herë, përkundrazi, regjistrohet një rritje me rreth 40 nxënës, kryesisht në klasat e para.
Ndërkohë, deri më tani nuk raportohet për mbyllje të shkollave në territorin e Bashkisë Shkodër.
Çështja e shkollave në zonat e thella vijon të jetë një shqetësim për
komunitetet lokale, të cilat në disa raste kanë kërkuar transferimin e nxënësve drejt institucioneve arsimore më të mëdha, ku numri i nxënësve është më i lartë.
Viti i ri shkollor nis kështu me një panoramë më të qëndrueshme për arsimin në Shkodër, të paktën sa i përket numrit të nxënësve.

