Arabia Saudite bëri të ditur të premten mbylljen e Tubacionit Lindje-Perëndim, pasi ky i fundit u godit nga një sërë sulmesh në zonat përreth Riadit dhe Medinës të enjten, duke lënë disa persona të plagosur.
Sipas një deklarate nga një burim zyrtar në Ministrinë e Energjisë, incidentet ndodhën gjatë orëve të mëngjesit të së enjtes.
Burimi nënvizoi se mbyllja e tubacionit u urdhërua “si masë paraprake” për shkak të sulmeve të ndodhura.
Ministria konfirmoi gjithashtu se ka persona të plagosur që kanë marrë trajtim mjekësor, por nuk dha të dhëna mbi numrin apo gjendjen e tyre shëndetësore.
Menjëherë pas ngjarjes, ekipet e emergjencës dhe specialistë teknikë u angazhuan për të siguruar tubacionin dhe për të vlerësuar situatën nga aspekti i sigurisë.
Ministria theksoi se për çdo zhvillim të ri do të informojë publikun në kohën e duhur.
Asnjë informacion nuk u bë publik mbi autorët apo natyrën e sulmeve, ndërsa deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për këto ngjarje.

