Kryetari i Partisë Demokratike, dega Shkodër, Ardit Çylybyli, ka njoftuar nisjen e një faze të re organizimi të strukturave të partisë në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Çylybyli bëri me dije se ka zhvilluar një mbledhje të Kryesisë së PD-së Shkodër së bashku me kryetarët e Grupseksioneve, ku është konstituuar Kryesia e re e degës dhe janë prezantuar drejtuesit e rinj të Grupseksioneve.
Sipas tij, një nga prioritetet do të jetë përditësimi i listave të anëtarësisë dhe forcimi i seksioneve, të cilat i cilëson si “qelizën bazë” të Partisë Demokratike.
Çylybyli thotë gjithashtu se PD Shkodër do të fokusohet te bashkëbisedimi me qytetarët dhe evidentimi i problematikave të tyre, me synimin për t’i përfshirë më pas në programin politik për drejtimin e Bashkisë Shkodër.
“Puna jonë sapo ka nisur!”, shkruan kreu i PD-së Shkodër, duke shprehur bindjen se demokratët do t’i fitojnë zgjedhjet vendore të 2027-ës me mbështetjen e qytetarëve.

